Marrëveshje e re e kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E, nga Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE).

Shumë të lumtur që anëtari ynë KOSTT, më 20 prill 2020 përmbylli me sukses votimin e Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E, nga Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE).

Me votimin e sotëm dhe nënshkrimin që do të pasoj, KOSTT dhe Republika e Kosovës përfundimisht del nga Blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni Veriore) dhe i bashkohet Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri-Blloku AK.

Me fillimin e implemenimit të Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E, KOSTT do të operoj si zonë rregulluese e pavarur brenda Bllokut AK në kuadër të zonës sinkrone të Evropës Kontinentale. Alokimi i kapaciteteve të interkoneksionit dhe menaxhimi i kongjestioneve të rrjetit interkonektiv do të realizohet brenda strukturës së këtij blloku dhe jo më nga EMS (Serbi), ku edhe të hyrat nga këto aktivitete do të mblidhen nga Blloku, përkatësisht nga KOSTT.

Ky zhvillim tutje i hap rrugë KOSTT-it për integrimin në tregun rajonal të energjisë, pjesëmarrjes në bursën shqiptare të energjisë (APEX) si dhe vënies në operim të linjës 400 kV Kosovë-Shqipëri.