Çmimi CSR i Kosovës 2013


29 Maj 2013 - Me iniciativë të Rrjetit CSR Kosovë, Komisionit Evropian, CSR Europe, BITC dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, u nda Shpërblimi Evropian CSR në Kosovë. Kompanitë Meridian dhe SharrCem u shpërblyen si kompanitë  më të përgjegjshme ndaj komunitetit dhe shoqërisë, me projektet "Investimi në Fëmijët në nevojë", përkatësisht "Bordi Lokal i Pavarur dhe Këshillues".

Në një ceremoni solemne të organizuar nga Rrjeti CSR Kosovë dhe Oda Ekonomike Amerikane u prezentuan dhe u  shpërblyen projektet me ndikimin më të qëndrueshëm ekonomik në shoqëri.

Robert Wright, Kryesuesi i Bordit të Rrjetit CSR Kosovë dhe njëherit Drejtori i Përgjithshëm i Bankës Raiffaissen, prezentoi projektet fituese dhe u shpreh se përmes aplikimit të parimeve të CSR, bizneset demonstrojnë përkushtimin e tyre për të punuar me të gjithë akterët relevant në zhvillimin e një agjende të qëndrueshme ekonomike.

Përfaqësuesit e dy kompanive fituese, Agon Gashi, nga Meridian, dhe Emmanuel Mitsou nga SharrCem, u shprehën të kënaqur që kontributi i tyre ndaj komunitetit është shpërblyer dhe premtuan se do të vazhdojnë me praktikën e njejtë edhe në të ardhmen.