Çmimi Evropian për CSR 2013

 

Më 25 Qershor, përfaqësues të kompanive Meridian dhe SharrCem, Zëvendëskryeministrja - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, dhe përfaqësues të Rrjetit CSR të Kosovës, ishin pjesëmarrës të ceremonisë së madhe të ndarjes së Çmimit Evropian për CSR në Bruksel. Pasi që u shpërblyen me çmimin CSR në Kosovë, përfaqësues të kompanive Meridian dhe SharrCem u ftuan në Bruksel së bashku me 63 fitues të tjerë nga vende të ndryshme evropiane, të cilët u njohën si fitues të çmimit Evropian për CSR.

Zëvendës Kryetari i Komisionit Evropian, Antonio Tajani, ndau çmimin Evropian për CSR në prezencë të zyrtarëve të nivelit të lartë dhe përfaqësuesëve evropian, ku shpërbleu kontributin e kompanive të cilat përmes aplikimit të parimeve të CSR, demonstruan përkushtim ndaj shoqërisë.

Me pjesëmarrjen e tyre në ndarjen e çmimit Evropian për CSR në Bruksel, përfaqësuesit e dy kompanive fituese, Agon Gashi, nga Meridian, dhe Emmanuel Mitsou nga SharrCem, u shprehën të kënaqur që kontributi i tyre ndaj komunitetit kosovar është shpërblyer nga Rrjeti Evropian për CSR, duke premtuar se do të vazhdojnë me aplikimin e praktikave të njejta edhe në të ardhmen.

Kjo skemë e çmimit Evropian për CSR, synon të frymëzojë përsosshmëri në aplikimin e praktikave të CSR përgjatë punës dhe partneriteteve, duke i shtuar një theks të veçantë programeve bashkëpunuese që trajtojnë qëndrueshmërinë në shoqëri nëpërmjet inovacionit.