Takimi i parë i Grupit të Liderëve të Paktit Evropian për Rininë në Komisionin Evropian në Bruksel.

Rrjeti i Kosovës për Përgjegjësi Shoqërore Korporative (CSR Kosova) ka kënaqësinë të ju njoftojë se Kryetari i Bordit të Rrjetit, z. Agon Gashi me 24 Maj ka marrë pjesë në takimin e parë të Grupit të Liderëve të Paktit Evropian për Rininë në Komisionin Evropian në Bruksel.
Z. Gashi, i cili është edhe Drejtor Ekzekutiv i kompanisë anëtare Meridian, ka përfaqësuar angazhimin e Kosovës për të krijuar punësim për të rinjtë përmes partneriteteve publiko-private dhe partneritetit biznes-arsim. Rrjeti CSR Kosova ka lansuar Paktin Evropian për Rininë më 4 Mars në Kosovë, nën Patronatin e Lartë të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe me mbështetje të Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile.
Gjatë takimit z. Gashi ka diskutuar për rezultatet e para që ka dhënë Pakti në Kosovë dhe në vendet anëtare të BE-së, dhe ka dëgjuar për praktikat më të mira evropiane në diskutimet për zanatësinë (apprenticeships). Këto praktika të mira dhe shembuj nga vendet anëtare të BE-së do t’i ndihmojnë Kosovës në rritje të punësimit të të rinjve përmes zanatësisë, dhe në rritje të partneriteteve mes komunitetit të biznesit dhe institucionet e arsimit.
Ky takim u kryesua nga Komisionerja për Punësim, Çështje Sociale, Shkathtësi dhe Lëvizshmëri të Fuqisë Punëtore, Marianne Thyssen dhe Ministri Francez i Shtetit dhe Kryetar i CSR Europe, Viskonti Etienne Davignon. Në këtë takim morrën pjesë Drejtuesit e disa prej korporatave më të mëdha evropiane dhe globale.
Takimi ka përfunduar me një darkë pune, ku liderët evropianë diskutuan më tutje për mënyrat dhe shembujt më të mirë për të rritur punësimin e të rinjve.
Për më shumë informacion, ju lutemi drejtohuni tek komunikata për shtyp e Komisionit Evropian në:

http://europa.eu/rapid/press-release_MEX-16-1899_en.htm