Z. Senton Kaçaniku, mysafir në Programin e Mëngjesit të RTK Radio 2

Sot Drejtori Ekzekutiv i Rrjetit CSR Kosova, z. Senton Kaçaniku, ishte mysafir në Programin e Mëngjesit me Valentina Kryeziu Nazifin  në RTK Radio 2, ku foli për rolin dhe aktivitetet e CSR Kosova, Paktin Evropian për Rininë, dhe aktivitetet e anëtarëve të CSR Kosova.

Z. Kaçaniku theksoi rëndësinë e Paktit Evropian për Rininë në rastin e Kosovës, dhe më tej elaboroi nevojën urgjente për përfshirje më të drejtpërdrejtë të sektorit privat në strategjitë kombëtare mbi aftësimin profesional dhe trajnimin, duke theksuar nevojën për bashkëpunim të afërt publiko-privat.

Gjatë diskutimit të tij në RTK Radio 2, z. Kaçaniku përmendi disa shembuj të shkëlqyer të Përgjegjësisë Shoqërore Korporative për komunitetet lokale dhe grupet e margjinalizuara, si partneriteti dhe bashkëpunimi i Korporatës Rugove me organizatën Down Syndrome Kosova, dhe projektin LAB dhe mbështetjen e bizneseve lokale start-up të bujqësisë të kompanisë Sharrcem.

Më tutje, duke folur për aktivitetet e CSR në nivel kombëtar, z. Kaçaniku theksoi mbështetjen për nismën “Let’s do it Kosova” për ta pastruar Kosovën të ofruar nga Meridian Corporation dhe anëtarë tjerë të Rrjetit, mbështetje kjo që është ofruar si financiarisht ashtu edhe duke inkurajuar punën vullnetare të stafit të kompanive.

Z. Kaçaniku foli për nevojën që kompanitë të ofrojnë trajtim preferencial për personat me aftësi të kufizuara, gratë dhe grupet tjera të pafavorizuara, duke theksuar nevojën që kompanitë të zbatojnë politika që inkurajojnë vullnetarizmin në komunitet të punëtorëve të tyre.

Duke folur për gjërat që kompanitë duhet t’i bëjnë, z. Kaçaniku tha se duhet të ketë më pak ndihma dhe sponsorime të ngjarjeve publicitare, dhe shumë më tepër investim në mbështetje të qëndrueshme për shoqërinë, në mënyrë që efektet pozitive të aktiviteteve të jenë më afatgjata.

Për të përmbledhur atë se çka është CSR, z. Kaçaniku shpjegoi parimet bazë të Kompaktit Global të OKB-së në të drejtat e njeriut, mjedisit dhe anti-korrupsionit, dhe foli për praktikat bazike të CSR që nuk janë të kushtueshme por duhet të jenë prioritet kryesor i bizneseve të vogla sikur pajtueshmëria me legjislacionin tatimor dhe të punës, duke shpjeguar poashtu se edhe projektet e kushtueshme të CSR kanë dobi afatgjata për të gjitha palët e përfshira, sepse krijojnë rritje të qëndrueshme të shoqërisë në tërësi dhe janë e vetmja mënyrë për kompanitë serioze që të ndërtojnë një reputacion të mirë dhe afatgjatë.